Klinika Radovani

Ne ju rikthejmë dëgjimin .......

Zbulimi i shurdhesive ne femijerine e hershme dhe mundesite per zgjidhjen e tyre
Shkruar nga Prof. Dr. Pjerin Radovani
 

Përse është i rëndësishëm ekzaminimi i dëgjimit që në fëmijërinë e hershme?
Në vendin tonë janë kryer proçedura të “Hearing Screening” apo ekzaminime të aftësisë së dëgjimit në fëmijë të porsalindur në disa maternitete, por nuk ekziston një rregjistër kombëtar, ku të jepen të dhëna të sakta se sa fëmijë lindin plotsisht shurdh. Po i referohemi ShBA ku 1 ndër 1000 të porsalindur lind plotsisht shurdh dhe 2-3 ndër 1000 të porsalindur paraqesin shurdhësi të rëndë, duke renditur humbjen e dëgjimit si defektin numër një të lindjeve në Amerikë. Shumë studime kanë treguar se diagnoza e hershme e humbjes së dëgjimit luan një rol kyç në zhvillimin e të folurit, njohjes dhe aftësive psikosociale. Trajtimi do të jetë shumë i suksesshëm po të zbulohet që në muajt e parë pas lindjes rënia e aftësisë së dëgjimit të fëmijës, ndërsa në vendin tonë këto fëmijë me humbje të aftësisë së dëgjimit zbulohen zakonisht pas moshës tre vjeç.
Përse është e rëndësishme që fëmija im ti nënshtrohet ekzaminimit të dëgjimit që në moshën më të vogël?
Koha më e rëndësishme për fëmijën që ti ekspozohet e të mësojë të folurin janë tri vitet e para të jetës. Në fakt fëmijtë fillojnë të mësojnë gjuhën dhe të folurin që në moshën 6 muajsh. Studimet kanë treguar se tek fëmijtë që zbulohet heret rënia e aftësisë së dëgjimit dhe ku ndërhyhet shpejt, i kanë aftësitë e të folurit shumë më të mira se fëmijtë që lihen pas dore apo që shurdhësia zbulohet vonë. Sa më shpejt të zbuloni shurdhësinë apo rënien e aftësisë së dëgjimit te fëmija juaj, aq më të sigurtë do të jeni se fëmija juaj do të përfitojë nga strategjitë që ndihmojnë ate të mësojë komunikimin nëpërmjet të folurit.
Sa heret duhet ti nënshtrohet fëmija im ekzaminimit të dëgjimit?
Mundësia e parë që ofrohet është që në maternitet, pra menjëherë pas lindjes. Nëse i porsalinduri nuk i nënshtrohet ekzaminimit të dëgjimit në maternitet, atëhere ai pa tjetër duhet të ekzaminohet përgjatë muajit të parë të jetës. Nëqoftëse dyshohet rënie e aftësisë së dëgjimit, fëmia duhet të bëjë një vizitë të plotë te mjeku otorinolaringolog në moshën 3 muajsh. Nëse konfirmohen problemet e dëgjimit merr një rëndësi të veçantë rekrutimi i fëmijës në programet e riaftësimit të dëgjimit, me vendosjen a aparateve të dëgjimit (protezat e dëgjimit), apo nëpërmjet opsioneve të tjera të komunikimit, që duhet të fillojnë mundësisht që në moshën 6 muajsh. 
A është i detyrueshëm ekzaminimi i hershëm i dëgjimit? 
Në vitin 2003 në ShBA më shumë se 85% e të porsalindurve i nënshtroheshin ekzaminimit të dëgjimit pa dalë nga materniteti. Në 39 shtete amerikane është i detyrueshëm ekzaminimi brënda maternitetit. Në vendin tonë ende jemi në fazën e projekteve pilot, në maternitetin e Tiranës dhe të disa rretheve. Nismëtare qe Dr. Birkena Qiriazi në vitin 2005 në Maternitetin e Tiranës, por aty-këtu u ndesh me vështirsi si nga ana e personelit, e më shumë nga ana e prindërve. Ndoshta popullsia jonë qe e panjohur me një nismë të tillë, apo dhe mendësia që dominon në popullin tonë për të mshehur mangësitë e zhvillimit.
Si realizohet ekzaminimi i hershëm i dëgjimit?
Arrihet nëpërnjet dy provave, të cilat janë:
Emisionet Otoakustike (EOA) që realizohen duke vendosur një kufje sfungjeri ne kanalin e veshit për të matur nëse veshi i përgjigjet një tingulli. Tek fëmija me dëgjim normal, tingulli rikthehet dhe matet, e njohur si dukuria “echo”. Kur echo nuk matet, tregon mundësinë e një humbje të dëgjimit, por nuk tregon se sa është kjo humbje.
Përgjigjet dëgjimore të trurit (ABR) realizohen duke vendosur kufjet në veshë, ndërsa elektrodat pranë veshëve dhe në kokë. Nëpërmjet kufjeve veshëve i jepen tinguj, ndërsa elektrodat masin përgjigjet që jep truri i fëmijës ndaj tingullit. Kjo është provë e saktë dhe objektive.
Shënjat e humbjes së dëgjimit në fëmijë
Nuk është e thënë që fëmija të ketë lindur me humbje dëgjimi. Pra rënia e aftësisë së dëgjimit mund të fillojë edhe më vonë. Në këto raste janë prindërit apo ato që kujdesen për fëmijën që mund të konstatojnë humbjen e dëgjimit. Çfarë shënjash ato vejnë re:
·        Fëmija nuk reagon ndaj ndonjë zhurme të papritur.
·        Nuk zgjohet nga zhurmat e forta.
·        Nuk kthen kokën kur i flet prindi apo kujdestari.
·        I foluri nuk shfaqet apo flet me vonesë dhe fjalët nuk I thotë të plota.
·        Aq sa flet, flet me zë të ulët dhe nuk ka fjalorin e pasur për moshën që ka.
Nëqoftëse fëmija juaj paraqet një nga shënjat e lartpërmendura duhet të paraqiteni tek mjeku specialist. 
Çfarë ndodh në se fëmija ka humbje dëgjimi?
Rënia e aftësisë së dëgjimit në fëmijë mund të jetë e përkohëshme ose e përhershme dhe është e nevojshme që kjo rënie dëgjimi të vlerësohet nga një mjek, për të përjashtuar disa sëmundje veshi që shkaktojnë rënie të aftësisë së dëgjimit. Sëmundje të tilla janë infeksionet e veshit të mesëm (Otitis Media), grumbullimi i dyllit në vesh, keqformimet e lindura ose sëmundjet gjenetike që shkaktojnë humbje dëgjimi. Nëqoftëse në ate vizitë të specialistit përcaktohet se humbja e dëgjimit është e përhershme, është i këshillueshëm përdorimi I aparateve të dëgjimit (protezave akustike) të cilat shërbejnë për të amplifikuar tingullin në veshin e fëmijës. Në rastet e humbjeve të thella të dëgjimit edhe aparati mund të mos ndihmojë. Në këto raste duhet marrë në konsideratë vendosja e implantit koklear që realizohet me ndërhyrje kirurgjikale. Implanti koklear stimulon direkt nervin e dëgjimit duke i dhënë mundësi fëmijës të dëgjojë mirë dhe qartë tingujt.
Prindi është ai që vendos nëse fëmija do të komunikojë nëpërmjet të folurit apo të mësojë gjuhën e shënjave. Po zgjedh të folurin, ndërhyrja për të ndihmuar fëminë duhet bërë sa më parë për të parandaluar vonesën e të folurit. Ideale do të ishte që një ndërhyrje e tillë të fillonte që në moshën 6 muajsh. Të tjera strategji komunikimi mund të bëhen edhe në prani të aparateve të dëgjimit apo implantit koklear.
A është normal dëgjimi i fëmijës tim?
Nëse ju mendoni se fëmia nuk dëgjon mirë, ju mund të keni të drejtë. Ndjekja e listës së mëposhtme mund t’ju ndihmojë të kujtoheni për ndonjë problem që ka ndikuar në humbjen e dëgjimit të fëmijës. Ju lutemi, lexoni me vëmendje listën dhe shënoni në atë faktor që ju mendoni se ka rëndësi tek ju, familjen tuaj apo fëminë:
Gjatë shtatzanisë…
o   Ka kaluar nëna rubeolë, infeksion viral, apo grip?
o   Ka pirë nëna pije alkolike?
A ka patur fëmija juaj i porsalindur (deri në 28 ditë)…
o   Peshë nën 2 Kg?
o   Ndonjë pamje e pazakontë në fytyrë apo në veshë?
o   Zverdhje të lëkurës në çastet e para pas lindjes dhe sa ka vazhduar kjo gjëndje?
o   Nevojë për transfusion gjaku?
o   Nevojë për të qëndruar në repartin e kujdesit intensive të të porsalindurve (NICU)?
o   Nevojë të marrë antibiotikë me rrugë endovenoze dhe për sa kohë?
o   Meningit apo shenja të ngjajshme?
o   Dështim (Fail) në përgjigjet e ekzaminimit të dëgjimit? 
A ka patur fëmija juaj deri në 2 vjeç…
o   Nevojë për të marrë antibiotikë me rrugë endovenoze?
o   Meningit?
o   Çrregullime neurologjike?
o   Dëmtime të kokës që mund të jenë shoqëruar me rrjedhje gjaku nga veshët?
o   Infeksione të shpeshta të veshëve? 
Kanë patur pjestarë të familjes tuaj…
o   Humbje dëgjimi të përkohëshme apo të përhershme dhe kur i ka filluar?
Reagimi ndaj mjedisit rrethues (Zhvillimi i të folurit)
Nga lindja e fëmijës deri në 6 muaj…
o   Nuk trëmbet, nuk lëviz kokën, nuk bërtet kur papritur dëgjohet një zhurmë e fortë.
o   Nuk zgjohet nga një zhurmë e fortë.
o   Nuk imiton ate që mund të dëgjojë.
o   Nuk kthen kokën kur e thërret nëna.
Nga 6 deri në 12 muaj…
o   Nuk tregon me gisht prindërit apo objektet kur pyetet.
o   Nuk belbëzon.
o   Në 12 muajsh nuk kupton fjali të shkurtra si “përplas duart” apo “bëj teta”.
13 muaj deri në 2 vjeç…
o   Nuk kthen kokën në thirrjen e parë, me zë të ulët apo të lartë.
o   Nuk është i ndjeshëm ndaj zhurmave të mjedisit.
o   Nuk i përgjigjet tingujve, apo nuk e lokalizon ate.
o   Nuk është në gjëndje të thotë fjalët më të thjeshta.
o   Thotë rrokje, fjalë të cunguara; i foluri i prapambetur krahasuar me bashkëmoshatarët.
o   Nuk dëgjon TV me zë normal.
Nëse fëmija paraqet një nga shënjat e lartpërmendura ju duhet ta çoni tek një specialist ORL për vizitë dhe ekzaminim të veshit, ku do të kryhen edhe provat e dëgjimit. Kjo gjë duhet bërë sa më parë.