Klinika Radovani

Ne ju rikthejmë dëgjimin .......

Shkruar nga Prof. Dr. Pjerin Radovani

Riaftesimi Degjimit


Është një term me shtrirje të gjerë në fushën e audiologjisë, specialitet që lindi nga otorinolaringologjia dhe u shkëput këto vitet e fundit plotësisht në vete. Vetë audiologjia ka filluar të krijojë nënspecialitetet e veta, ndër to edhe audioprotezimi, që në vendin tonë filloi të zhvillohet pas vitit 1998, duke ardhur në ditët e sotme me një zhvillim të barazvlerëshëm me vendet më të zhvilluara. Kjo në sajë të nismës private dhe bashkëpunimit mjekë, inxhinjerë elektroteknikë, informaticienë. Ndërkaq vetë audiologjia ku përfshihet si nënspecialitet metodika dhe drejtimi i riaftësimit të dëgjimit ka mbetur prapa. Boll të përmendim që në programet mësimore të fakultetit të mjekësisë nuk ekziston si lëndë e veçantë. Në programet e rezidentëve të otorinolaringologjisë ndahen veç do orë mësimore, që drejtohen nga pedagogë që kanë kryer kurse audiologjie jashtë shtetit. Në këto rrethana audioprotezistët (specialistet e degjimit) ndeshen me vështirësitë që lindin pas protezimit nga mungesa e klinikave apo njësive të riaftësimit dëgjimor. Ky fakt detyron audioprotezistët tonë të kenë njohuri më të gjëra në fushën e riaftësimit, në mënyrë që të jenë të aftë të japin udhëzimet e duhura pacientëve të rritur të protezuar dhe familjarëve të tyre, apo prindërve të fëmijve të protezuar. Është e natyrshme që audioprotezisti (specialisti degjimit) nuk mund të mbulojë aktivitetin e një klinike audiologjike, ku pasi i vendoset aparati i dëgjimit (proteza akustike) një pacienti, shërbime të tjera të asaj klinike duhet të sigurojnë ndërhyrje intensive edukuese e pse jo psikosociale, në mënyrë që të arrihet më e mira e mundshme në riaftësimin e dëgjimit te pacienti i protezuar. Për të kuptuar më qartë kontekstin e riaftësimit dëgjimor, duhet të shtrojmë pyetjet:
 
1.      Cili është qëllimi parësor i një shërbimi audiologjik?
2.      Si mund të realizohet më mirë ky qëllim?
 
Duke i qëndruar këtij konteksti, duhet vlerësuar me kujdes se çfarë pritet në realitet nga një shërbim audiologjik.
 
DËGJIMI
 
Aktiviteti më i konsiderueshëm i një shërbimi audiologjik i dedikohet çrregullimeve të dëgjimit dhe trajtimit të tyre. Në ato raste ku konstatohet rënia e aftësisë së dëgjimit, shërbimi audiologji bën përpjekje në një mënyrë ose në një tjetër të përmirësojë nivelet e dëgjimit te pacienti dhe në asnjë mënyrë ta shmangë ate. Edhe kur situata është e ndërlikuar, ky shërbim duhet ti kalojë të gjitha stadet për të arritur një nga qëllimet kryesore të tij.
 
KOMUNIKIMI
 
Një nga funksionet e rëndësishme të dëgjimit është të ndihmojë njeriun të komunikojë me mjedisin që e rrethon. Pra një tjetër qëllim i shërbimit audiologjik është përmirësimi i komunikimit. Nga pikpamja llogjike, përmirësimi i aftësisë së dëgjimit është fillimi i një proçesi ku përfshihen taktikat e të dëgjuarit e të komunikimit, apo ndoshta strategjia e një ndërhyrjeje psikosociale. Këto ndërhyrje do të kenë vlerë kur të arrihet komunikimi i lirë i pacientit me mjedisin që e rrethon në jetën e përditëshme dhe kjo gjë është pjesë e rolit të audiologut.
 
KOMPETENCA SHOQËRORE
 
Një komunikim aktiv ndërmjet njerëzve paraqet tre aspekte: Sëpari, aftësia të zhvillojë e të ruaj raportet me të tjerët; sëdyti, të rrisë kompetencën dhe pavarësinë në komunikim dhe sëtreti, të arrijë të shijojë cilësinë e jetës, rrjedhojë e aspektit të dytë. A do të jetë në gjëndje një shërbim audiologjik të aftësojë një pacient me humbje të aftësisë së dëgjimit në të tre këto aspekte? Shumë audiologë sot i shmangen përfshirjes së plotë në rrjedhshmërinë e edukimit të pacientit. Realizimi i faktorëve të lartpërmendur është testi përfundimtar i suksesit të një shërbimi audiologjik. E thënë ndryshe, shërbimi audiologjik me çdo kusht duhet të arrijë të sigurojë raporte të kenaqëshme të pacientit me shoqërinë.
 
SHËRBIM RIAFTËSIMI I PËRSHTATSHËM
 
Kthehemi përsëri aty ku e nisëm, pra disa shërbime audiologjike e kanë shumë të ngushtë shkallën e ndërhyrjeve se sa të tjera. Pyetjet që lindin në këtë rast do të ishin:
1.      Çka ofron në veçanti një shërbim audiologjik?
2.      Si realizohet informacioni për një riaftësim adekuat?
3.      Kur një shërbim audiologjik x nuk ofron riaftësimin, ku duhet drejtuar pacienti?
Pyetja e parë ka përgjigje të thjeshtë: Vendosja e aparatit te degjimit. Në pyetjen e dytë, çalojnë shumë shërbime. Disa marrin përsipër edukimin riaftësues, ndërsa të tjerë jo, por tentojnë ti drejtojnë në shërbime të tjera riaftësimi. Këto shërbime të tjera, a janë në gjëndje të realizojnë një riaftësim të gjithanshëm? Biem në pyetjen e tretë, nevoja e riaftësimit psikosocial, që në shumë raste nënvlerësohet apo anashkalohet.
 
BURIME MË TË GJËRA RIAFTËSIMI
 
Kur një shërbim i caktuar audiologjik e anashkalon proçesin e riaftësimit apo nuk e merr përsipër, ku duhet të drejtohet pacienti i protezuar me aparat degjimi? Kur kemi të bëjmë me një shërbim të integruar apo një shërbim spitalor terciar, ku ofrohet terapia psikologjike nuk do të ishte problem edukimi në seanca të veçanta, si nga psikologu, ashtu dhe logopedi. Kur ky drejtim nuk do të ishte i mundur, atëhere zgjidhja do të ishte një referencë e jashtme, qoftë edhe private, psikolog dhe logopedist. Në raste të tilla organizohen klasa me disa pacientë të protezuar të niveleve të ndryshme, ku edukimi fillon që me leximin e buzëve gjatë të folurit. Ka pacientë, veçanërisht të moshuar që pasi protezohen dëgjojnë, por nuk arrijnë të kuptojnë fjalën e folur në shkallë të ndryshme, patologji kjo e njohur si diskriminim i dëgjimit. Shumë shpejt këto mërziten me aparatin dhe nuk e vënë më në vesh; parapëlqejnë heshtjen, e cila mund ti çoje deri në depresion. Këto njerëz nuk duhen braktisur si nga shërbimi që i ka protezuar, si nga familja, ashtu dhe nga  shoqëria. Shërbimi audioprotezik duhet të japë udhëzime aq sa ka mundësi, ti krijojë mundësi komunikimi dhe shprese, sidomos kur mungon një klinikë apo shërbim i plotë audiologjik, por më e rëndësishme do të ishte referenca drejt një psikologu dhe logopedisti.
Nëse do ti kthehemi historikut të aparateve të dëgjimit, evolucioni i teknologjisë së këtyre aparateve ka patur zhvillime të pabesueshme. Pavarësisht këtyre zhvillimeve shumë pacientë të protezuar besojnë se aparati i dëgjimit do ti zgjidhë plotësisht atyre problemet e komunikimit. Jo gjithmonë ndodhë kështu. Sodisfaksioni maksimal do të arrihet te pacienti kur theksi të kalojë nga modeli tekno-centrist (Aparati i dëgjimit) në një proçes person në qendër të vëmendjes, ku do të përfshihen të gjitha aspektet e kujdesit për të përftuar një riaftësim sa më të mirë dëgjimor. 

 

Copyright Klinika Radovani 2007